Sekrete familjare/Ereni dhe Metini luftojnë me njëri tjetrin

Metini vijon të fshehë provat që mund t’i çojnë policët drejt Çinarit, ndërkohë që ky i fundit e ka lëshuar veten fare nga sikleti, ndaj dhe gjyshi tij Merdani i kujton se nëse do bjerë në sy e do e zbulojnë të vërtetën, ai dhe Metini do kalben pas hekurave.

I prangosuri i pafajshëm, në ato momente rrëfen para Erenit provën e lirimit të tij, se ka në shtëpi kamera që vërtetojnë se ditën e vrasjes së Zaferit ai nuk ka dalë fare nga shtëpia. Bisedën e tyre, do e dëgjojë edhe Metini, fshehurazi.

Metini do nxitojë i pari për në shtëpinë e shokut të tij të arrestuar por shumë shpejt, pas tij do vijë Ereni. Duke mos pasur nga t’ia mbathë, Metini e godet pas koke por Ereni qëndron mjaftueshëm në këmbë sa për t’a qëlluar me armë.

Metini shkon në shtëpinë e tij, futet në tualet dhe duron dhembjen e madhe të plumbit, duke tentuar t’a pastrojë vetë. Paralelisht, djali tij Ilgazi po përlotet nga gjendja e dërrmuar e Xhejlinës, e cila shkon të kontrollojë nënën në gjumë dhe për një çast i duket sikur ajo nuk po merr frymë, gjë që e bën të mendojë se ka vdekur.